“Nestiiii, me vrap në shtëpi. Lije topin dhe hajde kap mësimet”, foli e ëma e nervozuar teksa shihte të birin që sapo kishte nisur të merrte dijet e para. Asokohe ishte mjaft i vogël dhe pasioni për sferën ishte thjesht i moshës. Askush s’e kishte ditur që një ditë djaloshi i fisit Muçi në kryeqytet do të skaliste këtë mbiemër me gërma të arta.
“Ehu, kjo këtë punë ka”, mendoi ai me vete. Nuk dinte si t’ia bënte. Nga njëra anë frika e largonte nga rrugica e lagjes poshtë pallatit, nga ana tjetër topi ia bënte me sy. Nuk u mendua më shumë se një herë. “Në djall shkoftë”, u përmend djaloshi i urtë që për herë të parë kishte nisur të thyente rregullat e shtëpisë. Zgjodhi të shkonte drejt topit dhe aty u harrua në botën e tij. Askush nuk mund t’ia prishte lumturinë që e kishte pushtuar, madje edhe e ëma nga larg u bë një me të e nisi ta mbështeste. Edhe pse në rrugicën e lagjes, vogëlushi dukej si një futbollist që do të luante përkrah të madhit Zidan, ndërsa familja duke e mbështetur fort në shkallët e stadiumit.
Papritur nga gjumi letargjik u zgjuan të gjithë dhe kjo situatë imagjinare sot është bërë realitet. Sigurisht Zidan s’ishte aty, por në fushë ishin e ardhmja e klubit të Real Madrid. Një skuadër e madhe që ka bërë histori në futbollin europian, një ekip që u “pushtua” nga talenti kryeqytetas. Vallëzonte, driblonte dhe mrekullonte në fushë teksa veshur mbante fanelën e kombit të tij. Nuk pyeste se cilin ekip ka përpara. Shiritin e kapitenit ia kishin vendosur në krah dhe sigurisht një djalë si ai di më së miri si t’ia shpërblejë profesorëve të tij. Me shumë peripeci ia doli. Jo vetëm që shënoi, por tregoi se është një vrasës i mirë para porte. Ndryshe nga i madhi Inzagi që goli e dashuronte italianin, këtë herë është Muçi ai që “ka rënë brenda” të çajë rrjetat e kundërshtarëve.
Historia e djaloshit 18-vjeçar ka nisur vite më parë, por vetëm para 3 vitesh emri i tij u dëgjua dhe u trumbetua fort në Tiranë. Asokohe bardheblutë luanin në Kategorinë e Parë dhe pas një ndeshje miqësore mes skuadrës së parë dhe ekipit të Ze Marias, ishte trajneri brazilian që urdhëroi ta kishte talentin e Akademisë në organikën e tij. Minutat nuk ishin të shumta, por aq sa qenë treguan art në këmbët e djaloshit të “Tironës”, siç thonë tifozët bardheblu. Më pas u promovua dhe nisi të përfshihej në 18-she, por sigurisht që elita kërkon akoma më shumë muskuj. Tashmë “bisku” është rritur dhe pjekur dhe është koha që klubi më i titulluar të shfrytëzojë frutet e saj. Trajneri Ard Mema e ka punën “pisk”. Një djalosh i tillë që i shënon Realit, “çan” rrjetën e Dinamot të Zagrebit dhe përshëndet 3 herë portën e Ballshit në një hark kohor prej 10 ditësh, me siguri që s’e ka vendin në stol. Se si do t’ia bëjë Ard Mema, një Zot e di.
Vërtetë kohën e ka përpara, por cilësitë që zotëron s’po e lë rehat të qëndrojë i qetë. Në një kohë kur kërkohet me ngulm një sulmues i mirë, “për dreq” është ky djalë çapkën, tashmë i rritur dhe bërë një maxhoren i vërtetë që prish planet e stafit teknik. Eh, sikur t’i prishnin të gjithë në të tillë mënyrë planet. Jo vetëm që do të gëzonte edhe vetë Ardi, por do të buzëqeshte e gjithë Shqipëria. Të tilla talente na mbushin me pozitivitet, të tillë lojtarë të bëjnë të besosh se futbolli edhe në Shqipërinë e 1001 halleve, ekziston dhe luhet në fushë.
Ernest, kohën e ke para. Vrite atë dhe ule kokën ashtu sikurse sheh topin të shkojë në rrjetë. Tirana tashmë të ka ty. Në Shq ipëri ka rënë një “yll”. Kujto kohën kur shihje veten në ajër në stadium të gëzoje nga golat e idhujve të tu, bëje ti realitet. Ti mundesh! / Retin TOKA/