Triumfi historik i modestëve çekë të Slavia Pragas mbrëmë ndaj skuadrës më të sukesshme të Europa League Sevillas u bë e mundur falë driblimit spektakolar të 23-vjeçarit. Ai ka kaluar një periudhë me ulje ngritje në aspektin personal që kur u transferua në Belgjikë te Gent në janar të vitit 2016.
Megjithatë, transferimi te kryeqytetasit çekë e ka ndihmuar të rritet më tepër teknikisht dhe të fitojë besimin te vetja.
Eksperienca në Europa League me Skënderbeun e ndihmoi shumë të luftonte dhe të ndihmonte Slavia Pragan të shkaktonte një nga rezultatet më shokuese në historinë e futbollit.
Ish-bomberi i Skënderbeut ka ëndrra të mëdha për veten. Një javë më parë në një intervistë për median nigeriane “pulse.ng” nuk e fshehu dëshirën e madhe për të përfaqësuar atdheun e tij Nigerinë në Kupën e Botës të vitit 2022 në Katar. Ndër të tjera, ai u rikthye pas në kohë duke treguar se si arriti të përshtatej me futbollin shqiptar dhe katapultimin drejt Belgjikës.
“Mundësia për të luajtur në Botërorin e Katarit? Golat e mi dhe dëshira ime është që pas 5 vitesh të jem në nivelin tim më të mirë. Dua të jem aktiv në futboll dhe e shoh veten time në Kupën e Botës së 2022. Do të ishte një nder i madh të luaja për ‘Super Shqiponjat’.
Eksperienca në Shqipëri, vështirësitë dhe transformimi në njërin prej lojtarëve më të mirë të Superiores? Nuk e dija kurrë që do të bëhej kaq e vështirë. Nënshkrova me klubin e Bylisit, kur isha 16-vjeç. E nisa me ekipin e të rinjve dhe 6 muaj më vonë u ngjita te ekipi i parë.
Luajta disa ndeshje dhe fitova vëmendje në Shqipëri. Pas atij sezoni, u huazova në Qipro për një vit dhe pas erdha prapë në Shqipëri për të luajtur me ekipin më të mirë Skënderbeun. Bashkë fituam kampionatin dhe fituam mundësinë të luanim për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar në fazën finale të një kompeticioni europian, për të cilën jam shumë krenar.
Kapitulli i ri në Belgjikë? Pas një viti në Belgjikë me Gent, drejtuesit e klubit më thanë që nuk mund të vazhdoja të luaja me ta dhe se duhej të huazohesha. Isha tepër i zhgënjyer, sepse shpresoja të vazhdoja me ta. Vendosa të qëndroja në Belgjikë dhe të kaloja me huazim te Zulte Ëaregem. Pata një sezon fantastik: 11 gola, 15 asiste në 41 ndeshje. Genti u interesua prapë për mua, por më erdhën oferta të tjera, ku midis tyre ishte dhe Slavia Praga. Duke parë që kisha luajtur dhe më parë atje në Pragë (Çeki) mendova se do të ishte më e lehtë të përshtatshëm, kështu që nuk i refuzova dhe iu bashkova”, tregon Olayinka.