Shqipëria do të luajë sonte kundër Polonisë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Qatar 2022”. Një sfidë që vlen shumë, një 90 minutësh që duhet doemos fituar për të fluturuar pikërisht drejt historisë. Në baste ekipi ynë përfaqësues shihet si jo favorit, megjithatë dëshira e futbollistëve për të qendisur me të arta emrin e tyre nuk mungon.
Ka shumë arsye se pse kuqezinjtë tanë mund të dalin sonte me 3 pikë nga “Air Albania”. Newsport.al ka analizuar shkurtimisht gjendjen e skuadrës tonë përfaqësuese, e cila sonte është gati të bëjë krenar gjithë shqiptarë anë e mbanë botës.
10 ARSYET SE PSE FITON SHQIPËRIA KUNDËR POLONISË:
– Faktori fushë. Kuqezinjtë tanë luajnë përballë 22 mijë spektatorëve, lojtari i 12-të për ekipin përfaqësues.
– Shqipëria po kalon një moment fantastik dhe me këtë formë është gati të marrë para çdo kundërshtar.
– Kemi një trajner me eksperiencë të jashtëzakonshme. Edy Reja ka ndryshuar fytyrën e kësaj Kombëtareje duke injektuar mentalitetin e fituesit te çdo futbollist.
– Luhet ndeshja e jetës. Një fitore e mundshme do të shkruante historinë, pasi shansi është i madh për të shkuar në Botëror.
– Në skuadër është një sulmues si Armando Broja, i cili ka shënuar në 3 ndeshjet e fundit. Individualisht i ka dhënë 6 pikë ekipit tonë përfaqësues.
– Statistikat nxjerrin fituese prapavijën e ekipit tonë Kombëtar. Shqipëria ka pësuar 6 gola, ndërsa Polonia 8, pra kemi një mbrojtje solide pavarësisht mungesave në këtë sfidë.
– Pavarësisht të disa mungesave të rëndësishme, alternativat në stol për trajnerin Edy Reja janë cilësore. Mjafton të përmendësh Odise Roshin që ka zgjidhur shumë herë disa ndeshje të kuqezinjve.
– Stërviten nga një italian, por kjo Kombëtare është bërë më sulmuesja në historinë e ekipit tonë përfaqësues. 15 pikë deri në tani në grupe, asnjëherë s’ishte arritur më parë.
– Fitorja 4-1 e ndeshjes së parë e Polonisë ishte e gënjeshtërt për atë që u tregua në fushën e lojës. Sot është momenti i hakmarrjes.
– Ekipi ka mësuar të sillet si pragmatist dhe në ndeshje të tilla i rëndësishëm është vetëm rezultati.