Adolfo Sormani ka folur pas ndeshjes me Luftëtarin, ku të kuqtë nën drejtimin arritën të merrnin fitoren e parë. Sormani foli për ekipin kundërshtar, megjithatë theksoi që skuadra e tij ka shumë për të bërë pasi kampionati është i vështirë. Ai deklaroi që te Partizani nuk ka titullarë, pasi do të luajë ai që është më në formë dhe gjithashtu tha që penalltia ishte e saktë.
“Kemi luajtur ndaj një skuadre që kishte ardhur për tu mbrojtur. Jam i kënaqur me mbajtjen dhe qarkullimin e topit, por nuk shfrytëzonim si duhet rastet që krijoheshin me lëvizjet e Ekuban. Na duhet shumë punë për të marrë atë që duam. Do punojmë në ditët në vijim që të jemi agresivë gjithë kohën dhe kundërshtari mos të na e ulë ritmin.
Kemi probleme në tërësi për sa i përket nisjes së sulmit, dhe nuk është se çalon pikërisht sulmi. Është një kampionat i vështirë dhe ne do të luftojmë shumë për të arritur aty ku duhet pasi mundësitë i kemi. Për zgjedhje teknike vendosa që Ramadani dhe Fili mos të jenë titullarë në këtë takim. Të dy lojtarët kanë qenë me kombëtaren U-21 dhe nuk i kam parë për një javë, pasi u bashkuan me ne vetëm në dy ditët e fundit. Kështu që vendosa të hedh në fushë ata që kam parë këto ditë. Te Partizani nuk ka titullarë, të gjithë janë titullarë.
Për sa i përket penalltisë, dua të them që i thash edhe Bardhit që ishte penallti e saktë”, përfundoi Sormani për Supersport.