Në orën 17:00 në stadiumin “Skënderbeu”, do të luhet sfida e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore mes Skënderbeut dhe Teutës. Të dyja ekipet vijnë nga një moment i mirë dhe në fushë pritet t ëketë luftë për tre pikët. Para fillimit të ndeshjes në Korçë foli ish kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi. Si ish trajner i Teutës dhe lojtarë i Skënderbeut, Shkëmbi nuk paraqiti një favoritë në ndeshjen e sotme, teksa e pret që të zgjidhet nga momente të veçanta. Ndër të tjera Shkëmbi u shfaq i bindur se në të ardhmen do të ishte trajner i Skënderbeut:
“Në fakt favorite i shikoj të dyja. Do të jetë një ndeshje e barabartë. Ndoshta do të vendoset nga ato episodet e veçanta. Skënderbeu nga ana morale është më mirë pas barazimit me Tiranën, ndërsa Teuta pas fitores vjen më e liruar nga ana psikologjike. Teuta duhet të pregatitet për të arritur objektivin që është Europa. Mendoj se është në rrugën e duhur, por që për mendimin tim i ka të gjitha mundësitë për të arritur objektivin në fund.
Pushimet po i shijoj në maksimumi. Çdo ditë me gocat e mia dhe ndoshta jam i kënaqur që në këto momente erdhi ky pushim. Nuk kam asnjë ofertë nga një ekip dhe skam bërë asnjë bisedë me ndonjë ekip”, tha Shkëmbi.
Stadiumi i zbrazur?
“Para disa minutash të njëjtat fjalë po thoshim. Të vjen gjynah që ky qytet dhe ky ekip mos të ketë tifozë. Tifozët duhet të kuptojnë që ekipi ka më shumë nevoj në momentet e vështira se të mirat. E mendon veten trajner të Skënderbeut? Jam i bindur që një ditë do e drejtoj Skënderbeun nuk e diskutoj”, përfundoi Bledi Shkëmbi.