Pezullimi me 10 vite nga Kupat e Europës e ka prishur imazhin e Skënderbeut, me korçarët që pritet të kenë probleme në bindjen e futbollistëve cilësorë në vitet e ardhshme. Por, mbërritja e Ilir Dajës duhet se ka pastruar sadopak “fytyrën” e 8 herë kampionëve të vendit.
Me rikthimin në pankinë të teknikut kryeqytetas, Skënderbeu ka firmosur me Enea Koliçin nga Kukësin dhe Marvin Turtulli nga Tirana. Goditje cilësore këto, që pritet të pasohen nga të tjera. Së fundmi, në radarët e drejtuesve bardhekuq ka përfunduar një njohje e vjetër e tyre, Renato Arapi.
Mbrojtësi që u aktivizua në Kupat e Europës me Teutën në këtë sezon shihet si përforcimi ideal për prapavijën, pasi dihet tashmë që Marko Radas është “divorcuar”. Megjithatë, bindja e Arapit për të kaluar në Korçë pritet të jetë e vështirë, pasi në Durrës, 32 vjeçari ka marrë rolin e liderit në mbrojtje si dhe shiritin e kapitenit.
Ditët e ardhshme pritet të sjellin zhvillime rreth kësaj piste, me Skënderbeun që besohet të mos humb shumë kohë për ta bindur, pasi kampionati nis më 24 gusht dhe skuadra duhet të jetë e plotësuar deri atëherë.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.