Kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa të dielën pasdite do të luajnë miqësoren e parë me Korabin në Peshkopi. Të besuarit e trajneri Andrea Agostinelli po marrin ngarkesë maksimale, ndërsa sot ata kanë qenë në palestër.
Nën udhëheqjen e përgatitësit atletik, Iris Selimi, bardhekuqtë kanë kryer seancën me intensitet maksimal. Përpos detajeve të tjera, përgatitësi Selimi mësohet që të ketë hartuar një plan pune për çdo futbollist.
Është e veçantë, pasi djaloshi vlonjat është një ndër më profesionistët në Shqipëri. Në shumë skuadra shihet që nuk ka as përgatitës atletik, ndërsa Skënderbeu mund të quhet vërtet klub profesionist.
Nga burime konfidenciale pranë trajnerit, mësohet se ai ka një plan të detajuar për çdo lojtar. Ai di rendimentin maksimal të çdo kujt, ndërsa përgatitja është personale dhe jo në grup. Këto detaje kanë dhënë dhe frytet e tyre, pasi gjatë sezoneve të fundit, te korçarët edhe problemet fizike kanë qenë të ulëta dhe jo aq të shpeshta siç i shohim në klube të ndryshme.