Besart Ibrahimi është pranë firmës me Skënderbeun. Sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës ka gjetur akordin paraprak me klubin korçar dhe në ditët në vijim mund të vijë edhe prezantimi i tij.
Në dy sezonet e fundit, sulmuesi 30-vjeçar ka shënuar 45 gola në 62 ndeshje me fanellën e Shkëndijës së Tetovës.
Nëse Skënderbeu do të arrijë të bindë Besart Ibrahimin, kjo do të ishte padiskutim ‘goditja’ e madhe e korçarëve në këtë merkato vere.
Ibrahimi në të shkuarën ka luajtur edhe me Shalke 04 në Bundesligë, por edhe me disa ekipe të tjera në Maqedoni.
Skënderbeu është gati t’i ofrojë rreth 17 mijë euro rrogë në muaj sulmuesit 30-vjeçar, ndërsa në ditët në vijim do të qartësohet më shumë kjo pistë e merkatos së bardhekuqve.
Ndërkohë që siç raporton “Sport Ekspres”, klubi i Shkëndijës së Tetovës ka kërkuar që në bisedimet për Ibrahimin, Skënderbeu të futë edhe Bajram Jashanicën, pasi skuadra shqiptare që militon në kampionatin e Maqedonisë kërkon me ngulm mbrojtësin e skuadrës korçare.