Presidenti i klubit të Real Madridit akuzohet për manipulim të shortit të fazës së 1/16-ve të Champions League, që u mbajt të hënë në Nyon të Zvicrës. Një media argjentinase publikoi një mesazh të dërguar në redaksinë e emisionit “Jorge Ramos y su banda” nga njëri prej bashkëpunëtorëve të presidentit madrilen në datën 12 dhjetor duke këmbëngulur që në shortin e kësaj të hëne të zgjidhej Ajaxi si rivali i Realit. Lajmi është përhapur me shpejtësi anembanë botës duke ngritur pakënaqësi ndaj kreut të kampionëve të Europës.
Nuk është hera e parë që Perez akuzohet për veprime të tilla. Pas largimit të Cristiano Ronaldos te Juventus gjatë verës, klubi nuk ka arritur të gjejë një zëvendësues të përshtatshëm të yllit portugez. Për dështimet në merkato, shumë tifozë madrilenë akuzojnë Perezin, pasi skuadra aktualisht po kalon periudhën më zhgënjyese në historinë e saj.