Skënderbeu po kalon periudhën më të vështirë pas dënimit 10-vjeçar nga UEFA, ku korçarët u akuzuan për trukime ndeshjesh. Situata nuk është më e njëjtë në kampin bardhekuq ashtu siç ishte kohë më parë. Probleme me financat, organika nuk është cilësisht si në sezonet e tjera, megjithatë trajneri Ilir Daja ka bërë një punë të mrekullueshme duke i besuar të rinjve.
Në ekip janë tre lojtarë si Dejvi Bregu, Nazmi Gripshi dhe Blerim Krasniqi, nga të cilët pritet të përfitohet në merkaton e janarit. Të tre futbollistët janë projektuar të shiten, por ende s’ka diçka zyrtare nga ana e klubit bardhekuq. Largimi i lojtarëve të mësipërm do të ulë ndjeshëm cilësinë në organikë, por pritet të stabilizojë buxhetin e Skënderbeut. Klubi korçar është shquar për politikat e ndjekura në këto vite, afrimin dhe promovimin e futbollistëve të rinj e më pas shitjen e tyre drejt kampionateve elitare europiane.