Teuta nuk ka arritur të marr fitoren e parë në vitin2019, por vetëm barazime. Në ndeshjen e fundit ndaj Kamzës, durrsakët kishin mundësinë të merrnin fitoren e parë pasi Kallaku nuk u tregua i saktë nga penalltia. Në një intervistë për “SuperSport” mesfushori i Teutës, Lancinet Sidibe ka folur për ecurinë e skuadrës si dhe për ndeshjen e radhës ndaj Kukësit.
“Eshtë një moment i vështirë pasi kemi barazuar 4 herë në 4 ndeshjet e fundit në kampionat, nuk kam përse ta mohoj që është një situatë jo e mirë për ne, por unë kam besim tek ky grup lojtarësh dhe shpresoj që me ndihmën e Zotit t’i rikthehemi çasteve të lumtura.”
Sfida ndaj Kukësit? “Ndeshja e kësaj jave kundër Kukësit është një sfidë mjaft e vështirë për ne përballë një skuadre shumë të fortë, por e përsëris që kam shumë besim tek Teuta dhe shpresoj që kjo ndeshje të shërbejë si pikë kthese.”
Objektivat? “Mendoj se nuk vendoset në diskutim objektivi Europë. Jemi një grup i ri lojtarësh me dëshirën për të bërë mirë, për të treguar se sa vlejme dhe këtë synojmë ta bëjmë në çdo ndeshje, dhe mendoj se është e sigurt që verën e ardhshme Teuta do të luajë në Europë”.