Partizani fitoi me rezultatin 3-0 ndaj Bylisit në “Air Albania”. Të kuqtë dominuan ndaj ballshiotëve duke marrë kështu 3 pikë me shumë vlera. I ftuar në emisionin “Zona Gol”, Eneo Bitri, mbrojtësi i Partizani u shpreh se kjo nuk ishte një fitore e lehtë për të kuqtë, ndërsa “falenderoi” edhe Alban Hoxhën. Mbrojtësi gaboi një pasim në zonë, por portieri i Partizanit e priti duke mos pësuar gol.
“Kam bërë një kampionat të mirë vjet dhe e kam merituar të jem titullar këtë vit. Mendoj se edhe Bastoni te Interi ka bërë të njëjtën gjë pasi Conte I dha besim atij dhe ai po e tregon veten”.
Fitorja ndaj Bylisit? “Nuk ishte një fitore e thjesht pasi lojtarët e Bylisit na markonin një kundër një dhe ishte e vështirë të dilje. Ndodhi një gabim sot dhe shyqyr që Albani e priti. Ishte një pasim për Hakajn, por e gabova”.
Disa ndeshje pa fitore? “Kemi pasur një ngërç të vogël dhe as vetë nuk e kuptuam si ndodhnin këto situata. Besoj se me këtë ndeshje që kemi bërë sot do të jemi afër me objektivin që kemi.
Sezoni i Partizanit? “Ne brenda ekipit besonim pasi e dijmë cilësitë që kemi. Mendoj se dublimet kanë qenë më shumë në qendër pasi nga krahat nuk kemi pasur shumë alternativa. Na ndihmuar edhe pjesa që nuk kemi marrë shumë kartona. Besonim se do të ishim këtu ku jemi pasi I dijmë cilësitë dhe kemi një trajner si Ilir Daja që na ka rritur më shumë cilësitë tona”.
Kë shikoni si rivalin më të vështirë? “Personalisht unë e kam thënë që Teuta është skuadra e vetme që mund të na hap shumë probleme pasi ka shumë lojtarë me eksperiencë. Objektivi im është të dalim kampion me Partizanin. Më përfundon kontrata në fund të sezonit dhe do flasim me klubin pasi dëshira ime është të qendroj te Partizani, ndërsa jashtë është një plus I madh”.