Ndeshja mes Moldavisë dhe Shqipërisë, e luajtur dje në mbrëmje dhuroi një fitore të merituar me katër gola për djemtë tanë. Të shumtë ishin edhe tifozët shqiptarë në shkallët e stadiumit, aqsa me koret dhe mbështetjen e tyre dukej sikur ndeshja luhej në Shqipëri. Të organizuar si gjithmonë, një pjesë e tyre janë nisur nga Tirana të shtunën mbrëma, duke përshkruar rreth 1300 kilometra për në vendin e ndeshjes.
Ultrasit “Kuq e Zi” nuk kanë harruar që me një banderolë të ironizojnë zyrtarin e FSHF-së, Arben Dervishaj. Ky i fundit, gjatë një emisioni sportiv në televizion është shprehur lidhur me çmimet e larta të biletave që Federata e futbollit aplikon për ndeshjet e kombëtares, duke i quajtur tifozët hallexhinj.
“Të fala”, shkruhej në postimin e TKZ në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me foton e mëposhtme ku duket banderola me mbishkrimin “hallexhinjtë”. Një mësazh i qartë dhe ironik ndaj zyrtarëve të FSHF-së dhe veçanërisht ndaj z. Dervishaj.