Futbolli shqiptar sot ka humbur një nga figurat më të mëdha. Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare ish-futbollisti i shkëlqyer i Tiranës dhe Kombëtares, “Mjeshtri i Madh”, Fatmir Frashëri.
Fatmir Frashëri ka lënë shenjë në futbollin shqiptar nga fundit viteve 50-të deri në fillimin e viteve 70-të, si një mbrojtës i shkëlqyer, me një qetësi të admirueshme dhe personalitet të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë fushave të blerta, duke u cilësuar nga të gjithë si një ndër më të shkëlqyerit e brezit të tij. Frashëri ka kontribuar në futbollin shqiptar për shumë vite edhe në pozicionin e trajnerit për shumë vite si edhe President i Klubit të Futbollit Tirana.
“I tronditur dhe me hidhërim të thellë, dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Fatmir Frashëri, ish-mbrojtësi i madh i Kombëtares dhe Tiranës, President klubi, mik dhe dashamirës i madh i futbollit, është ndarë nga jeta përgjithmonë. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, familjen e tij, miqtë dhe të dashurit, besoj dhe shpresoj që kjo humbje e pakthyeshme të lërë brenda nesh kujtimin më të mirë për Fatmirin. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe gjithë familjes së madhe të futbollit shqiptar gjej rastin t’i shpreh familjes dhe miqve të tij ngushullimet më të sinqerta për humbjen e njeriut më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, sapo ka mësuar lajmin e dhimbshëm.