Partizani e nisi vrullshëm këtë merkato verore, teksa emri i parë që u afrua tek të kuqtë ishte Renato Arapi nga skuadra e Skënderbeut. Por, aventura e qendërmbrojtësit durrsak nuk zgjati shumë pasi u largua në drejtim të Turqisë tek Bursaspor. Pas tij u afrua në skuadër Dalibor Volas, sulmuesi slloven që u përfol që do të mbante peshën e sulmit tek 15-herë kampionët e vendit. Ai nuk bindi në seancat stërvitore dhe në këtë mënyrë ndërpreu kontratën me të kuqtë, duke u rikthyer në vendlindje. Më pas te Partizani vjen i shumëprituri, trajneri Adolfo Sormani, pasi faza përgatitore në Itali u zhvillua nën urdhrat e ndihmësit Dalipi. Me Sormanin të kuqtë arritën të kalonin një tur në Champions League dhe duke vijuar më tej në fazën play-off të Europa League. Por, me ndeshjen e Europa League kundër Salzburgut, duket se përfundoi edhe epoka e italianit, pasi në kampionat të kuqtë nuk arritën të kishin rezultatet e dëshiruara. Në këtë mënyrë drejtuesit e larguan duke emëruar në vend të tij Sulejman Starovën.
Por, pas Sormanit u larguan edhe Xhanoti me Mazelën, dy ndihmësit e tij në stafin teknik. Përveç tyre pati edhe largime lojtarësh si Luca Bertoni dhe Karlao, sulmuesi brazilian që nuk u pa asnjëherë me të kuqtë në fushë.
Pikëpyetja e madhe tek të kuqtë qëndron te sulmuesi tjetër Ben Azubel. Ai është aktivizuar vetëm në ndeshjet e Kupës duke bindur me paraqitjet e tij, por në kampionat ai ngroh stolin. Madje ishte vetë Starova që deklaroi më parë në “Elbasan Arena” që të kuqtë prisnin një sulmues izraelit që do të mbante peshën e sulmit. Vend për justifikime nuk ka, pasi periudha 2-mujore për të arritur formën me grupin ka kaluar. Tashmë pritet të shihet në vazhdim nëse ai do të jetë pjesë e formacionit ose jo.
Largimet:
Sormani
Xhanoti
Mazela
Volas
Bertoni
Arapi
Karlao