Ndonëse prej dy vitesh tashmë Kosova është pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, sërish shqiptarët e Kosovës vijojnë të jenë të lidhur me Kombëtaren kuqezi të Shqipërisë.
Kjo vërtetohet edhe një herë me ndeshjen e të premtes mes Shqipërisë dhe Izraelit, ku tifogrupi i famshëm në Kosovë “Arpagjikt” do të udhëtojnë drejt Elsbasanit në mbështetje të djemve të Panuçit.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë tifogrupi me një postim në rrjetet sociale, ndërkohë që në të njëjtin ditë luan edhe Kosova me Azerbajxhanin. Megjithatë sfida e kosovarëve është në transfertë, prandaj dhe mesa duket ky nuk përbën ndonjë pengesë për mbështetjen e kombëtares së Kosovës, që ndeshjen e parë para publikut të saj do ta ketë tre ditë më vonë ndaj Ishujve Faroe në impiantin e rikonstruktuar të Prishtinës “Fadil Vokrri”.