Ish-kapiteni dhe legjenda e Shqipërisë dhe Dinamos Sulejman Demollari dha mendimin e tij te “Ora News” për përballjen e shumëpritur të Komëbtares sonë me Turqinë nesër në “Loro Boriçi”. Ikona e futbollit shqiptar dhe kombëtar u ndal dhe te pezullimi i portierit Strakosha dhe refuzimi i anësorit të majtë Ermir Lenjani për të mos luajtur më me kuqezinjtë.
“Sfida me Turqinë? Shpresojmë, brenda të jetë edhe fati që të arrijmë në rezultate pozitive. E rëndësishme është që takimi i parë është me Turqinë. Duhet një vlerësim maksimal dhe çunat të japin maksimumin që të arrijmë atë që dëshirojmë të gjithë, një rezultat pozitiv. Gjithmonë do të jenë shanset brenda por siç e themi të gjithë ndeshjet t’i marrim hap pas hapi. E rëndësishmë është që ndeshjen e parë ta kalojmë me një rezultat pozitiv.
Përjashtimi i portierit Thomas Strakosha për dy takimet e radhës? Këto janë rregulla që i dimë të gjithë. Janë të vendosura nga stafi, nga trajneri i ekipit kombëtar. Edhe unë jam me mendimin se duhet të jemi profesionista. Disiplina është pika kryesore. Është një vendim i trajnerit. Duhet që ta mbështesim edhe mendimin e trajnerit, por grupi është dhe shpresojmë që trajneri të bëj zgjedhjen më të mirë për të bërë edhe një ndeshje dinjitoze dhe për të marrë një rezultat pozitiv.
Kthimi në futbollin mbrojtës? Kjo është zgjedhja e tij dhe themi se na dha rezultat ajo me të cilën shkuam në Euro2016. Kështu që shpresojmë që edhe në këtë rast, me mënyrën e zgjedhjes së trajnerit Panuçi të vijnë rezultatet që pretendojmë të arrihet objektivi i finaleve të 2020“, përfundoi ish-trajneri i Shqipërisë në vitet 2001-2002.