Teuta do të luajë këtë fundjavë një tjetër ndeshje delikate. Durrsakët presin në “Niko Dovana”, Kukësi dhe do të kërkojnë me çdo kusht fitoren për të lëshuar terren me ekipet kryesuese. Në një intervistë për “Supersport”, ka folur edhe sulmuesi i Teutës, Dejvi Bregu. Vlonjati u shpreh se Teuta lufton për titullin kampion dhe nuk shikon ndonjë diferencë me sulmet e skuadrave rivale.
“Kanë qenë tri fitore të rëndësishme që ne i kemi kërkuar. Kemi zhvilluar lojëra të mira ndaj erdhën rezultatet. Shpresojmë që të kemi vazhdimësi”.
Objektivi? “Asgjë nuk ka mbaruar, jemi në garë për titullin, shpresojmë që edhe me ndalesën e ardhshme të Vllaznisë të jemi në rrugë të mbarë”.
Kukësi? “Kemi beism tek aftësitë tona, pasi kemi ekip të mirë. Edhe Kukësi ka ekip të fortë dhe një trajner me eksperiencë. Shpresoj të jetë ndeshje e luftuar dhe në fund të fitojmë ne”.
Mungesa e golit? “Nuk shoh ndonjë diferencë mes sulmit tonë dhe sulmeve të ekipeve rivale. Ky është opinion i të tjerëve, s’kam çfarë shtoj. Shpresoj që mbrojtja jonë të vazhdojë në këtë rrugë”.