Shpëtim Duro ka folur pas barazimit pa gola 0-0 kundër Luftëtarit. Trajneri i Kukësit deklaroi për mikrofonin e Supersport:
“Sigurisht që të arrish fitoren duhet sakrificë. Jo vetëm lojë dhe futboll por edhe sakrificë në momente të veçanta. Pjesa e parë ka qenë jashtë pritshmërive të mia. Pjesën e dytë kemi luajtur, kemi dominuar por nuk arritëm të shënojmë ndaj një kundërshtari që tregoi se futbolli është i çuditshëm edhe me skuadra me të rinj. Pra të krijojnë probleme. Këtë gjë ia kisha thënë edhe lojtarëve. Barazimi s’ka asnjë lloj justifikimi për ne.
Të gjithë ekipet kryesuese kanë pasur vështirësi me skuadrat më poshtë. Është i papranueshëm ky hap i gabuar. Duhet të fitojmë në fushë dhe jo me deklarata. Janë disa futbollistë që mendojnë se janë dikushi, por në futboll duhet të jesh profesionist me çdo kundërshtar që të fitosh ndeshjen. Ia kam thënë dhe Abazajt, Rrocës dhe Shkurtajt që kanë qenë në këto pozita si kundërshtarët tanë. Prandaj duhej t’i respektonim në maksimum, si lojtarët në veçanti dhe skuadrën në përgjithësi.
Kishte momente që kemi qarkulluar shpejt dhe dalje në krah, ka pasur dhe momente të ngadalta. Terreni ishte jashtëzakonisht i keq në raport me ndeshjet miqësore që kemi bërë përpara. E ndjeja që do ta kisha të vështirë nëse s’do shënonim gol në fillim. Dhe ashtu ndodhi, atë frikë që pata rezultoi si e parandjeva.
Çdo ndeshje ka historinë e saj. Por, janë këta “fodullë” që e kanë çuar Kukësin deri këtu. Kanë klasin e tyre. Për gjëra që nuk shkuan do t’i kritikojmë, por kanë meritën e tyre për këtë Kukës që e kanë sjellë deri këtu. Përgjegjësia ka qenë shumë e madhe. Duhej fitorja patjetër. Sigurisht ndeshja më e dobët nuk ishte. Nuk mund të ul vlerat e skuadrës. Nëse do të shënonim do të flisnim ndryshe. Siç e thashë nuk ka justifikim.
Ashtu siç na kanë penalizuar shumë dhe ne në fazën e parë, jam i bindur që arbitri e ka dhënë faull golin e Luftëtarit. Pavarësisht shenjës së dorës që ka gabuar”, përfundoi ai.