Pesë të mitur shqiptarë janë shoqëruar në komisariat, pasi policia i ka kapur duke shpërndarë lëndë narkotike kokainë dhe heroinë tek tifozët që kishin ardhur në kryeqytet për të ndjekur finalen mes Romës dhe Feynoord.
Ata dyshohet se janë dërguar mes tifozëve nga persona të tjerë, për të shitur lëndët narkotike, duke qenë se janë nën moshë dhe shpëtojnë nga ndjekja penale.
Fëmijët e mitur janë dërguar në komisariat pasditen e djeshme dhe nuk dihet nëse ndodhen ende atje apo janë larguar. Njoftim zyrtar për këto raste nuk ka ende, por burimet bëjnë me dije se pesë të miturit janë kapur duke shpërndarë drogë mes tifozëve.
Ky shqetësim është ngritur dje para ndeshjes, por dhe natën e kaluar kur tifozët e dehur i përplasën me njëri-tjetrin dhe policinë. Disa prej tyre, kryesisht holandezët në vendin e të cilëve kanabisi është i legalizuar, kanë tymosur pa problem në mes të Tiranës, në fan zonat e tyre.