Të shtunë u zhvillua ndeshja mes Gramshit dhe Valbonës, e vlefshme për javën e 19 të Kategorisë së Dytë, grupi A. Në këtë duel, vendasit dolën me tri pikë pas golit të E.Balliut në minutën e 65, ndërsa miqtë nga Tropoja do kontenstonin në fund arbitrin.
Teksa kryesori Mikele Dyrmishi fërshëlleu fundin e takimit, trajneri i Valbonës, Mustaf Hysenaj ka debatuar me arbitrin për vendimet e tij, ndërsa ka marrë kartonin e kuq. Kaq ka mjaftuar që situata të ndizej edhe më, me lojtarët e Valbonës që kanë tentuar të dhunojnë kryesorin por pa ia dalë.
Ndërhyrja e sigurisë dhe policisë së rendit ka shmangur dhunën, me arbitrat që janë shoqëruar jashtë qytetit nga Blutë. Në lidhje me ofendimet dhe sherrin, kryesori akordoi edhe katër kartona të kuq për Shehun, Hajdarin, A.Balliun dhe Spahon.