Me asisin e dhënë për Donjet Shkodrën në rastin e golit të shënuar në minutën e 42-të, Ardit Shehaj u shpall nga Supersport si lojtari më i mirë i ndeshjes Flamurtari-Tirana.
Sot, Shehaj luajti si mesfushor dhe jo si sulmues, ndërsa në minutat e para u pa të dilte nga fusha pas një goditje që mori nga Daja, por më pas u rikthye, “shtrëngoi dhëmbët” dhe më pas zhvilloi një ndeshje shumë pozitive.
“Ndjeva dhimbje pas goditjes që mora në fillim të pjesës së parë dhe mendova në fillim se nuk do t’ia dilja të vazhdoja më lojën. Por, më pas sakrifikova për skuadrën dhe më vjen mirë që arrita të jepja pasimin për Shkodrën në rastin e golit.
Sot është e vërtetë që luajta si mesfushori dhe jo si sulmues, por nëse jep maksimumin në çdo pozicion që luan, atëherë edhe rezultatet vijnë.
Ndaj Tiranës e kishim vlerësuar shumë si takim, luajtëm të përqendruar dhe fituam pavarësisht se kishim disa mungesa të rëndësishme. Jemi të lumtur për këtë sukses!”, deklaroi Ardit Shehaj për Supersport.