Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci i ftuar në emisionin “Sport Zone” është shprehur për objektivat që ka sektori i arbitrimit në sezonin e ri 2022-2023.
Jareci foli dhe për kohën e tepërt që duhet për marrjen e vendimit në rastet ku ndërhyn sistemi VAR. Gjithashtu Sokol Jareci ka vënë theksin duke ju përgjigjur kritikëve se: “ Nuk ka më gabime të qëllimshme nga arbitrat, ky opsion duhet të hiqet nga fjalori”.
Deklarata e Sokol Jarecit në televizionin MCN:
“I gjithë komuniteti i futbollit kishte fitimet e veta, nga implikimi i VAR në kampionat. Duhet një respektim i protokollit, që nuk është i lehtë të kuptohet nga të gjithë. VAR nuk mund të ndërhyjë në të gjitha rastet që ndodhin në zonë. Protokolli duhet mirëkuptohet nga të gjithë, për momentin se kur duhet të ndërhyhet.
Nëpër emisionet këtu flitet për raste të dyshimta. E njëjta gjë ndodh edhe në vende të tjera si Italia dhe Gjermania. Duhet të kuptohet momenti kur VAR, duhet të ndërhyjë.
Në sezonin e fundit, arbitrat kanë bërë shumë më mirë, sesa gabime. Për mua opsioni që arbitrat bëjnë gabime me qëllim, bie poshtë. Duhet të hiqet nga fjalori. Nuk ekziston më kjo. Unë e di sa e vështirë është në fushë. Me sistemin VAR nuk ka më gabime me qëllim.
Në sezonin e ri nuk do të ketë risi, do të jetë i njëjti protokoll. Problematika më e madhe, ka qenë vonesa për marrjen e një vendimi. Koha është problemi ynë më i madh. Objektivi më i madh për sezonin e ardhshëm, do të jetë ulja e kohës për marrjen e vendimit.
Të gjithë arbitrat nuk janë në nivel të njëjtë. Arbitrat e Tiranës, nuk duhet t’i vendosim në ndeshjet e kryeqytetit dhe është një nga problematikat që e kemi ndjekur.
Do doja që VAR-i të ishte edhe në Kategorinë e Parë, por nuk kemi infrastrukturë. Nëse vendoset, duhet të jetë në të gjitha ndeshjet, por në disa stadiume është e pamundur.”