Shqipëria do të luajë nesër sfidën e radhës kualifuese për Kupën e Botës ndaj Polonisë. Kuqezinjtë luajnë në transfertën e vështirë polake dhe do të tentojnë të marrin pikë përballë Leëandovskit me shokë.
Sot në konferencën për mediat foli edhe trajneri Edy Reja duke analizuar këtë takim si dhe pritshmërit që Kombëtarja ka nga sfida ndaj Polonisë.
“E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Polonia ka 7 vite pa pësuar humbje në shtëpi. Ne po rritemi si skuadër dhe kemi bërë paraqitje të mira. Në sulm kemi lojtarë që po shënojmë si dhe në mbrojtje kemi marrë shumë komplimenta. Mund të luajmë me kundërsulme siç kemi bërë, por nuk duhet të harrojmë edhe fazën difensive. Presingu nuk fillon nga mbrojtja dhe nuk na lejohen gabime në këtë ndeshje pasi Polonia ka lojtarë cilësorë”.
Trajtim special për Lewandowski? “Natyrisht që duhet të jemi të organizuar pasi për Lewandowskin duhet një mbulim special. E shikon pak dhe të zhduket dhe një mbrojtës nuk mjafton për të markuar këtë lojtar që nuk fal asnjëherë para portës. Shpresoj që të mos të ketë të njëjtën formë si me klubin dhe të jetë në një ditë jo. Te Polonia është pak e vështirë për të, por është një lojtar me cilësi të padiskutueshme”.
Mund ta synojmë vendin e dytë nëse fitojmë nesër? “Nuk kemi ardhur këtu për të humbur. Skuadra duhet të jetë 100% në formë për të përballur këtë ekip. Jemi të bindur që kur kemi filluar këtë fazë dhe do të luajmë gjithçka për gjithçka dhe nuk kemi frikë nga asnjë skuadër, por respektojmë çdo kundërshtar”.
Çfarë raporti keni me trajnerin Soza dhe ndeshja me Poloninë? “Me Sozën kemi një raport të mirë, e di që ai nuk ka bërë mirë në Europian, por nuk është e lehtë të bësh mirë me Kombëtaren pasi nuk ke shumë kohë si me klube. Shpresoj që të bëjë mirë, por pas ndeshjes me ne. Kemi mbrojtje të mirë, por nuk do të luajmë në mbrojtje nesër. Kemi lojtarë të mirë dhe në sulm dhe mund të bëjmë keq në këtë repart”.