Kastrioti do të luajë një tjetër finale dhe këtë herë skuadra e krutane do të udhëtojë në drejtim të Laçit për transfertën e radhës. Të dyja skuadrat kanë objektivat e tyre për të arritur. Njëra lufton për Europën, ndërsa tjetra për të mbijetuar në Superligë. Në një intervistë për “RTSH Sport”, një ditë para takimit ka folur dhe trajneri, Bledar Devolli. Në deklaratën e tij Devolli është shprehur:
“Këto dy javë na kanë mjaftuar për të përgatitur ndeshjen. Kemi rikuperuar disa lojtarë. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë. Laçi është ekip i fortë në shtëpi, ka një trajner të mirë”.
“Bojom do jetë gati, e kemi lënë vetë veçmas. Do sakrifikojë, pasi është shumë i rëndësishëm për ne. Shpresoj të jenë të gjithë në rregull dhe ta kalojmë me sukses atë ndeshje”.
“Kjo është ndeshja e jetës, mund të them, për ne. Çdo rezultat tjetër veç fitores na e vështirëson shumë. Kam besim te djemtë, nëse bëjmë ato që bëjmë edhe në stërvitje, mund ta kalojmë me sukses”.
“Nuk më interesojnë statistikat. Më intereson ekipi, që të bëjmë gjërat mirë në të dyja fazat. Nëse i bëjmë ashtu si kemi punuar, atëherë mund t’ia dalim”.