Bruno Telushi u prezantua dje te Kukësi, ndërsa dy fjalë për ish-lojtarin e Partizanit i ka thënë edhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama. Pas përfundimit të seancës së parë stërvitore të të kuqve, Rama ka folur për mediet, ku ndër të tjera është pyetur rreth mesfushorit vlonjat.
Nuk përgjigjet në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por indirekt i lë një pjesë të “barrës” për dështimin në sezonin e shkuar edhe luftarakut të mesfushës.
“Telushit i uroj suksese! Pata një bisedë shumë të çiltër dhe të hapur me atë e përfitoj nga rasti ta falënderoj për çfarë ka bërë te Partizani, sidomos gjatë vitit që dolëm kampion. Telushi është një nga ata lojtarë që unë e kam admiruar gjithmonë për shpirtin e garës dhe për mënyrën se si e interpreton gjithmonë vullnetin dhe dëshirën e mirë që të fitojë. Është një person që e ka pjesë të karakterit të tij. Unë gjithmonë kam ngulur këmbë dhe kam thënë se ndeshja nuk fitohet ditën kur luhet, por gjatë gjithë javës dhe në përgjithësi dhe një pjesë e grupit vjet kemi pritur pak më tepër në aspektin e mbështetjes morale dhe psikologjike”, ka thënë fillimisht ai.
Më tej ka shtuar: “S’dua të fajësoj Telushin, por më tepër në aspektin e ndërrimit të faqes për të ndërruar edhe mënyrën e lojës dhe për të pasur një Partizan pak më të kristaltë në lojën e vet. Telushi nuk parashikohej të kishte një rol qëndror në këtë projekt. Për respektin që kam për Telushin bëra një bisedë shumë të hapur dhe vendosëm që rrugët të ndaheshin për arsye se dhe ai veten nuk e shikonte në rolin e një personi që vinte nga pankina. Kështu që edhe ne do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje të tjera për atë post”.