Tirana – Vllaznia do të luhet pa tifozë. Një situatë e paprecedentë që ndodh dhe serviret në javën e 12-të të Superiores. Në fillim të muajit tetor, skuadra bardheblu u dënua me 4 ndeshje pa tifozë nga Komisioni i Disiplinës për incidentet në derbi të ndodhura kundër Partizanit. Pikërisht në ditën kur dolën vendimet e organit të drejtësisë sportive, bardheblutë luanin kundër Shënkollit në Kupë, sfidë e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Duke qenë se ishte publikuar vendimi i Disiplinës, drejtuesit bardheblu mbyllen dyert e stadiumit, duke e llogaritur si pjesë të dënimit. Rrjedhimisht në javën e 12-të pritej prania e spektatorëve në shkallët e “Selman Stërmasit”. Por, ditën e djeshme drejtuesit e Tiranës kanë mësuar se nuk mund të luajnë me tifozë, pasi rregullorja e interpreton në mënyrë të tillë. Takimi me Shënkollin s’është llogaritur si pjesë e dënimit. Në FSHF janë shprehur se ajo ndeshje duhej të ishte luajtur me praninë e tifozëve, ndaj klasikja e Shqipërisë do të jetë me dyer të mbyllura.