Hamdi Salihi u rikthye te goli, ndërsa sot vendosi ndeshjen nga pika e bardhë e penalltisë. Në fakt, sulmuesi shkodran ka humbur këtë sezon dy 11-metërsha, por sot deklaroi se ishte i bindur se do ta çonte në rrjetë. Një shtysë për Salihin që të godiste penalltinë ishin edhe Lilaj dhe Osmani, të cilët kërkuan nga ai që ta merrte përsipër ekzekutimin nga pika e bardhë.
“E realizova penalltinë, sepse e ndjeja veten të qetë. Plus që shtysa e Lilajt dhe Osmanit më bën edhe më të sigurt për ta goditur atë 11-metërsh.
Ne tani duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet për të arritur atje ku duhet të arrijmë. Ndeshjet janë shumë të vështira, sidomos kundër ekipeve që mbyllen prapa. E kemi thënë edhe më parë se ekipet shqiptare nuk kanë ndonjë fantazi aq të madhe sa për të çarë të tilla mbrojtje lirshëm.
Është e vërtetë se këtë sezon kam qëndruar disi jashtë zonës më shumë se më parë. Por është e vështirë të krijosh raste për të shënuar edhe për atë çka thashë më sipër, pra që ekipet qëndrojnë prapa”, tha Salihi për Supersport.