Luiza Gega ka regjistruar një arritje historike për atletikën e Shqipiërisë, mesditën e djeshme u shpall nënkampione e Europës në 3000 metërsh. Medalja e argjendit vjen në Shqipërisë, ndërsa presidenti i Federatës së Atletikës nuk i përmban dot emocionet për këtë sukses. Lotët i rrjedhin nga sytë, ndërsa në një intervistë për “Sport Ekspres” tregon suksesin e atleteës.
Medalje argjendi dhe Nënkampione e Evropës…
Fantastike (nuk i përmban lotët)
E prisnit realisht këtë medalje historike të Luiza Gegës?
Duke e ditur përgatitjen që kishte bërë, por dhe të gjithë potencialin e saj ne prisnim dhe medaljen e Arit. Oreksi vjen duke ngrënë dhe ne jemi më shumë se sa të kënaqur me medaljen e argjendtë. Luiza Gega është një superheroinë, një mbretëreshë në kuptimin e plotë të fjalës për atletikën shqiptare. Sepse nëse thuhet për atletikën që është mbretëresha e sporteve, ajo na ka ngritur në piedestal të gjithëve. Është atlete që nuk ka parë një ditë të bardhë dhe nuk ka bërë një ditë pushim derisa ka arritur këtë. Unë kam marrë mesazhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, se e kanë parë garën. Kam deklaruar se është sportistja e vitit dhe si e tillë e ka vërtetuar plotësisht këtë gjë. Jo vetëm kaq, por për suksesin e saj kam marrë mesazhe nga të gjithë deri tek Robert Emian. Vërtetë një gjë fantastike.
Në Amsterdam keni pasur dhe Izmir Smajlaj, nëse do të kishte marrë dhe ai medalje, ju në qiellin e shtatë…!
Nuk do të kishim ardhur një muaj në Tiranë. Përtej humorit dhe modestisë, Izmir Smajlaj është një atlet me potencial, që kërkon më shumë përgatitje teknike dhe më shumë energji për të qenë tek medalja. Të jeni të sigurt që vitin e ardhshëm në Kampionatin Ballkanik të Sallave të mbyllura, apo dhe në Botëror, ai do të jetë tek medalja. Është atleti që i përket së ardhmes së këtij sporti në vendin tonë. Kurse Luiza Gega ka kohë që përgatitej për një gjë të tillë.
Ne jemi mësuar që gjithnjë ta shohim këtë atlete në 1500 metra, pse nuk duhet të ishte që më parë në 3000 metra me pengesa?
Qoftë sportistja, por qoftë dhe trajneri Stërmasi kanë mbi një vit që punojnë për këtë gjë. Gjërat kanë ardhur me radhë që nga thyerja e rekordit në 3000 metra drejt, përsëri në maj në Elbasan. Dhe më pas tek thyerja e rekordit në 3000 metra me pengesa në Zvicër. Pra sinjalet ishin të qarta dhe ne e dinim që ajo ishte e përshtatshme për këtë garë. Mos harroni që ndryshe nga kundërshtarët e saj stërvitet në kushte më të këqija. Mirëpo Luiza Gega është atletja e vitit dhe këtë e kam thënë dhe në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Tani bota e di se kush është Luiza Gega. Një tjetër medalje në Olimpiadë?
Do të jetë një supersukses nëse hyhet në gjashtë të parat e 3000 metrave me pengesa, e pse jo i ka të gjitha mundësitë për medaljen olimpike. Ne presim shumë prej saj.
Së fundi, çfarë keni organizuar për ta pritur?
Ftoj të gjitha trupat televizive dhe gazetareske që ta presim bashkë sonte në mbrëmje Luiza Gegën, sepse pas futbollit bëri që Shqipërinë ta përmendin për mirë dhe në atletikë.