Igli Tare, drejtori sportiv i Lazio është ndalur të flasë për situatën e vështirë që po kalon futbolli dhe mbarë Europa nga Covid-19. Ish-sulmuesi kuqezi në një bisedë për gjermanët e Sport 1 ka theksuar se do të ketë vështirësi të mëdha financiare, por kampionatet këtë edicion duhet të mbarojnë edhe në shënjë respekti ndaj viktimave të Coranavirusit.
“Është ende herët për të folur, por numri i të prekurve po bie ndjeshëm. Unë dua që sezoni të shkojë deri në fund, edhe në respekt të atyre që humbën jetën, por edhe të të gjithë tifozëve italianë. Jam tërësisht kundër anulimit të sezonit, pasi kështu do të rrezikohej kolapsi i sistemit të futbollit, duke qenë se shumë klube përballojnë shpenzimet në bazë të të ardhurave nga e drejta televizive.
Është një situatë nga e cila duam të gjithë të dalim sa më shpejt dhe t’i rikthehemi normalitetit. Lojtarët mezi presin të rinisin stërvitjen, ndonëse do t’ju duhet të gjejnë formën më të mirë brenda një kohe te shkurtër’, tha mes të tjerash vlonjati.