Skuadra e Tiranës ka mbyllur përgatitjet e ditës së 12-të në Zllatibor të Serbisë. Ajo që bie në sy në seancën e sotme stërvitore është mbërritja e një sulmuesi serb, pikërisht Marko Rajkoviç, i cili ka qenë më përpara pjesë e Apolonisë. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar klubi bardheblu bën me dije që sulmuesi serb do të provohet nesër në ndeshjen miqësore si bardheblu.
“Skuadra ka mbyllur ditën e 12-të të përgatitjeve në Serbi. Paraditja ka rezervuar një seancë me ritëm të lartë në kompleksin stërvitor në Zlatibor. Pasdite bardheblutë kanë vijuar përgatitjet në palestër duke zhvilluar një seancë force për shkak të një stuhie të madhe shiu që ka rënë gjatë pasdites. Nesër është programuar të zhvillohet ndeshja e fundit miqësore dhe përballë do të jetë skuadra serbe e OFK Beograd. Sot me skuadrën është bashkuar sulmuesi serb Marko Rajkovic. Ai ka mbërritur në Zlatibor për të zhvilluar një prove në ndeshjen e nesërme miqësore. Rajkovic në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Apolonisë dhe pas largimit nga Fieri do të kryej nesër një provë si bardheblu”, shkruhej në njoftimin zyrtar të Tiranës.