Pas eleminimit nga Champions League nga Dudelange i Luksemburgut, Tirana do të synojë të bëjë më mirë në Conference League, ku i presin boshnjakët e Zrinjski Mostar. Rekordmenët e Bosnjes me 7 tituj do të jenë një kundërshtar i vështirë për kampionët e Shqipërisë, pasi janë një ekip me traditë në Europë, duke bërë mirë në vitet e fundit.
Zrinjski Mostar ka qenë edhe ekipi i Luka Modriç në sezonin 2003-2004, i huazuar nga Dinamo e Zagrebit. Pikërisht klubi kroat i ka ardhur në ndihmë boshnjakëve shumë herë me lojtarë të huazuar, ashtu siç ka ndodhur edhe këtë vit, ku Zrinjski ka huazuar nga Dinamo e Zagrebit 3 futbollistë të rinj. Bëhet fjalë për Niko Jankovic, Mario Cuze dhe Petar Susic, të cilët shihen si talente të së ardhmes dhe pritet që ta rrisin më shumë cilësinë e boshnjakëve.
Por pika më e fortë e Zrinjskit është kapiteni Nemanja Bilbija, i cili luan sulmues dhe sezonin e fundit shënoi 33 gola në 32 ndeshje. Një “bishë” në sulm, që ka fituar 5 herë trofeun e golashënuesit dhe që do të provojë t’u bëjë keq edhe mbrojtësve bardheblu. Prapavija e kampionëve të Shqipërisë duket se do të ketë shumë punë, duke parë edhe vështirësinë që hasën me Dudelangen. 31 vjeçari Bilbija ka një vlerë prej 900 mijë euro sipas Transfermarket dhe është lojtari më i vlefshëm i ekipit.
Ndërkohë, Tirana duhet të shpresojë për një paraqitje shumë herë më të mirë sesa në Champions, pasi jo vetëm që kundërshtari është më i vështirë, por eleminimi do të sillte humbje të mëdha financiare, çfarë do të ndikonin në sezonin e ri futbollistik. /Newsport.al/