Në Kavajë kanë reaguar ashpër ndaj arbitrimit për ndeshjen kundër Apolonisë ku u mposhtën me rezultatin 2-3.
Përmes një statusi në facebook, kalohej çdo lloj limiti duke shkruar gjëra që s’i kanë aspak hije sportit pikërisht për gjykimin e bërë në këtë sfidë. Herë pas here kjo faqe ka qenë informuese për atë që ndodh në Kavajë, por me siguri kjo deklaratë e ditës së sotme duhet të jetë bërë në nerva e sipër.
Madje dhe tifozët nuk duken aspak dakort me atë që lexojnë teksa është njëri prej tyre që shkruan: “Ke të drejtë për arbitrimin e ndeshjes, por me sharjet e kalove pak cakun se je dhe faqen zyrtare”.
Nuk ka asnjë informacion nëse verdhezinjtë kanë një kanal zyrtar në rrjetet sociale, por siç u theksua më lart herë pas here ky profil ka shërbyer si pikë referimi për mediat. Pritet në vazhdim të shihet nëse do të ketë një reagim nga zyrtarët e Besës, pasi një deklaratë e tillë është mjaft e rëndë.