Largimi i italianit Andrea Agostineli është vetëm çështje kohe te Skënderbeu. Nëse nuk ikën sot, e sigurtë është që do të ikë nesër, pasnesër apo ndoshta pas një jave. Minicikli i tij tek kampionët e Shqipërisë ka përfunduar. Trajneri ka humbur skuadrën, ka humbur presidentin dhe për momentin mban në duar vetëm kontratën.
Lojtarët nuk e duan, drejtori sportiv bashkë me menaxherin e klubit po mendojnë të tjera alternative prej shumë kohësh e për më tepër, marrëdhënia e Haris Fakiç dhe Shkumbin Qorrmemetit me italianin nuk ka qenë aspak e mirë prej muajsh.
Takaj sërish mendohet dhe nuk vendos se çfarë duhet të bëj.
Në mëndje ka një tjetër trajner. E ka të qartë se italiani nuk ka më as forcë dhe as kapacitet për ta rikthyer Skënderbeun në nivele të larta.
Takaj nuk do të nxitohet nga frika e një tjetër zgjedhje të gabuar. E di fare mirë se këdo trajner të afrojë tani në skuadër nuk ka më se çfarë ti bëj skuadrës kur kanë ngelur edhe dy javë nga fundi i pjesës së parë të sezonit.
Nuk do të nxitohet edhe pse ende nuk është i bindur për një emër që mund të marrë në dorë projektin për rindërtimin e skuadrës. Takaj po mendohet edhe për zgjidhjen financiare të kontratës së Agostinelit. Një hall me shumë shifra ky që do një zgjidhje formale.
Para se Josa të merrte drejtimin e Tiranës presidenti i Skënderbeut e ka rikontaktuar për ta rikthyer. Tratativa nuk u realizua. Pas tij, Daja ishte një opsion konkret por Takaj nuk donte të afronte një trajner të shkarkuar nga rivalët për titull. Shpëtim Duro ishte dhe vijon të jetë prezent në tavolinën e ofertave.
Takaj vijon të mendohet…