Tre protagonistët e Partizanit në këtë sezon, Esat Mala, Lorenc Trashi dhe Bruno Telushi u shprehën për herë të parë pas ftesës në Kombëtare.
Për “Supersport”, 3 kampionët e saposhpallur të Shqipërisë deklaruan se janë tepër të emocionuar për pjesëmarrjen në kombëtaren e Shqipërisë. Mbrojtësi Trashi foli dhe për festën e titullit të 16-ë kampion ditën e diel. Ai zbuloi se do të jetë një ceremoni që nuk do të harrohet kurrë.
“Si djalë i ri që jam, është një hap i mirë për karrierën time dhe dua ta shfrytëzoj. Unë mendoj komponimi i të dyjave, edhe paraqitja me Partizanin, edhe titulli. Partizani ka bërë të vetën me titullin. Por dhe ne me paraqitjet tona e kemi merituar.
Derbi është kënaqësi e madhe ta fitosh, por ndryshe është titulli. Është një gjë e jashtëzakonshme në aspektin profesional.
Do të doja të kishim ftesë ditën e hënë. Jemi gjithë sy e veshë”, bëri me dije mesfushori i krahut të majtë Mala.
“Të tregohemi të sinqertë, edhe po të mos dilnim kampion do të merrnim ftesë. Duke parë që derbi ka folur më shumë për ne, emocionet do të jenë më të forta ditën e diel. Mezi e kemi pritur.
E pyeta presidentin Demi për festën. Më tha që do të bëjmë që nuk do të harrohet kollaj”, deklaroi Trashi.
“Kjo është diçka e mirë për ne dhe Partizanin. E kemi shfaqur veten në ndeshje. Dhe arritja e objektivit të bën të jesh këtu. Pas derbit bëmë një minifestë, por kjo e së dielës do të jetë madhështore.
Lista e dytë do ta tregojë se kush e meriton. Varet se çfarë ka vendosur trajneri”, tha mesfushori Telushi.