Futbolli shqiptar ka marrë një lajm të hidhur pasditen e sotme. Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare dhe 17 Nëntorit (Tiranës), Fatmir Frashëri është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare. Sëmundja e rëndë i mori jetën mbrojtësit fenomenal të viteve 60-70.
Por kush ishte Fatmir Frashëri, lojtari dhe trajneri që “shëtiti” te gjithë skuadrat e kryeqytetit, por mbeti legjendë e Tironës.
I lindur më 3 prill të vitit 1941, Frashëri e nisi karrierën te skuadra ku edhe e mbylli, 17 Nëntori.
Fanellën legjendare të 24 herë kampionëve të vendit e veshi fillimisht te skuadra e moshave, ku kaloi 4 vite, nga 1958-1962. Pas eksperiencës te bardheblutë, Frashëri ndryshoi ngjyrat por jo vend, teksa veshi për 2 sezonet e ardhshme fanellën e Partizanit.
Megjithatë, dashuria për shtëpinë e tundoi tepër dhe në vitin 1964 u rikthye te 17 Nëntori, ku kaloi 8 sezone. Gjatë kësaj aventure, Frashëri fitoi 4 tituj kampion. Ndërkohë, edhe karrierën si trajner, mbrojtësi brilant e nisi te skuadra bardheblu.
Plot 5 sezone në krye të pankinës së 17 Nëntorit dhe 1 titull kampion, përpara se të drejtonte Naftëtarin, Besën dhe Dinamon, me të cilët fitoi titullin. Ashtu siç edhe karrierën futbollistike, Frashëri vendosi ta mbyll te Tirana edhe karrierën si trajner.
I drejtoi në sezonet 1990-1991, 1993-1994 dhe 2003, duke fituar edhe një titull. Me kombëtaren shqiptare u aktivizua gjatë viteve 1963-1970, ku zhvilluar 12 takime.
Gjatë presidencës së Bamir Topit, Frashëri së bashku me disa nga legjendat e futbollit shqiptar u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, por edhe “Mjeshtër i Merituar”.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.