Është mbyllur Luftëtari 0-5 Tirana. Bardheblutë kanë shkërmoqur gjirokastritët ndërsa kanë shpërdoruar edhe 2 penallti. Tirana me këtë fitore shkon në kuotën e 59 pikëve, duke ruajtur diferencën me 9 pikë nga Kukësi.
Bardheblutë kanë dominuar gjithë takimin, duke hapur ndeshjen me golin e Vangjelit në minutën e 3-të. Cobbinah shënon të dytin në minutën e 19, ndërsa pjesa e parë mbyllet 3-0 me golin e Hasanit në të 42 minutë. Edhe pjesa e dytë ka folur për ekipin e Egbo, që gjen edhe dy herë rrjetën me Bathën dhe Dungën. Bardheblutë kanë shpërdoruar 2 penallti me Nggo në pjesëne parë dhe Halilin në minutën e 73. Për Gol Pas Goli trajneri i Tiranës Egbo u shpreh:
“Fitorja më e thellë e sezonit? Është një ndeshje që foli për ne, ju kam thënë çunave që të flasin në fushë dhe të tregjnë veten. Kemi fituar tri pikë dhe jemi në rrugën tonë. Po mendojmë për ndeshjen e së enjtes.”
Mosmarrëveshjet te penalltitë? Nuk duhet të ndodhin, do i zgjidhim brenda familjes.
Presidenti ju ka konfirmuar si trajner në kupat e Evropës? Nuk e kam mendjen aty, kemi tetë ndeshje për të mbaruar sezonin. Është klubi më i madh në Shqipëri dhe është e veçantë të jesh trajner me 24 herë kampionët e vendit.
Mund të eksperimentojë Tirana duke ndryshuar titullarët? Nuk e quaj si eksperiment. Ata që japin 100 përqind në çdo ndeshje ata do fusim.
Ju zhgënjeu Partizani? Ne shohim ndeshjen tonë, e kemi në dorë për të zgjidhur situatën tonë dhe çdo ekip ka hallet e veta ne përqëndrohemi në fushë.