Korabi duket se do të jetë surpriza e këtij sezoni në Superiore. Pas një merkatoje me të vërtetë të bujshme, ku dibranët kanë afruar disa lojtarë me peshë, tashmë presidenca e klubit ka bërë me dije se do të ketë investime edhe në infrastrukturë, falë mbështjetjes së biznesmenëve nga Dibra e Madhe që jetojnë në SHBA, Selim Rusi dhe Naim Agolli. Ndërkohë që ditën e sotme, presidenti i Korabit, Turhan Rusi, i ati i Selim Rusit është vizituar nga drejtuesit e klubit të Korabit dhe një përfaqësi e bashkisë së Dibrës. Ata i kanë shfaqur mirënjohjen e tyre numrit 1 të klubit dibran për kontributin e çmuar që po jep te ekipi i sapo-ngjitur në Superiore.
Presidenti i Korabit gjatë takimit të sotëm me një përfaqësi të klubit dibran
Në fjalën e tij, Rusi ka deklaruar se skuadrat e Superiores duhet të tremben nga Korabi, ndërsa ka kërkuar nga ekipi dibran një lojë të ndershme dhe dinjitoze, larg nga manipulimet.
“Ju falënderoj për respektin. Korabi do të ketë mbështetjen tonë maksimale. Klubet e tjera të Superiores duhet të tremben nga ekipi ynë. Por kam një lutje: duhet të keni shumë kujdes, sepse djali im është i ndjeshëm në blerjen e lojtarëve. Prandaj mos shisni lojërat. Nuk ka rëndësi shuma, po për 1 mijë apo 2 mijë dollarë nuk duhet të bëhemi pis”, deklaroi presidenti i Korabit, Turhan Rusi.