Takim miqësor dhe me nota optimizmi te Kukësi. Presidenti i klubit, Safet Gjici ka takuar skuadrën në prag të takimit kundër Flamurtarit.
Numri një i klubit të Kukësit ka pasur një bashkëbisedim me futbollistët dhe sigurisht që tema kryesore ka qenë sfida e kaluar ndaj Partizanit që u mbyll në barazim 1-1, por edhe këshillat për takimet e radhës.
Presidenti Gjici u ka kërkuar futbollistëve përqendim për katër ndeshjen e mbetura në kampionat në mënyrë që të shmanget euforia për të arritur objektivin madhor, titullin kampion të Superligës.
Gjithashtu, presidenti i Kukësit ka pasur një takim edhe me disa tifozë të skuadrës në hotel “Gjallica”, në Kukës.
Fansat që ka takuar presidenti Safet Gjici u përfshinë në një aksident të lehtë rrugor, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin drejt Tiranës për të ndjekur ndeshjen ndaj Partizanit, u përplas me një kamion, për fat të mirë pa pasoja të rënda për asnjë.
Gjici ka falënderuar tifozët për mbështetjen që i kanë dhënë ekipit sidomos në këtë sezon ku prezenca e tyre ka qenë motivim i madh për skuadrën e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka.