Pero Pejiç është blerja më e bujshme e Kukësit në këtë merkato vere, ndërsa drejtuesit dhe tifozët e duan shkëlqimin e tij si më parë, pra për t’iu sjellë golat dhe pikët siç bëri në sezonin 2014-2015. Kroati, i cili sezonin e shkuar luajti në Iran, tregon ndryshimet e skuadrës brenda një viti, ndërsa kërkon fat që karriera e tij te Kukësi të vazhdojë me ritmet që ka pasur më parë.
“Pas një viti në Iran jam kthyer këtu në Shqipëri dhe jam i lumtur për këtë fakt. Kam kujtime shumë të bukura nga eksperiencat e mia të mëparshme në kampionatin shqiptar. Tashmë jam sërish pjesë e Kukësit, kam firmosur një kontratë 1-vjeçare me këtë klub dhe shpresoj që gjërat të shkojnë mirë për mua”.
I pyetuer për ndryshimet e skuadrës, për përbërjen dhe për atë që premton për të ardhmen, Pejiç nuk nxitohet, ndërsa tregon se dy vite më parë Kukësi ishte skuadër e fortë, ndërsa ka pasur shumë ndryshime gjatë rrugës, kështu që kërkon përshtatje me grupin e ri. Së pari, ai kërkon që të fitojë trofeun e Supërkupës, edhe pse e ka të qartë që përballë do të ketë një ekip mjaft të fortë.
“Nuk e di nëse Kukësi i këtij sezoni është një ekip më i mirë apo më i dobët se ai para dy sezoneve kur unë luaja këtu, sepse edhe në atë periudhë ne kishim një skuadër shumë të mirë. Tashmë jemi një ekip pak më i ri në moshë, por kemi gjithashtu në skuadër lojtarë shumë cilësorë. Na pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Skënderbeut në finalen e Superkupës së Shqipërisë, por unë besoj te skuadra ime dhe jam i bindur se Kukësi i ka të gjitha mundësitë për ta fituar këtë trofe”.
Kukësi e mori Pejiçin për të shënuar sa më shumë gola, jo sepse nuk kishte lojtarë të tillë, por se kanë bindjen se kroati mund të shënojë mbi 20 gola. Ai jep dhe premtimin e tij, duke treguar se do të shënojë afërsisht sa dy vite më parë me këtë fanellë.
“Normalisht që unë kam ardhur këtu për të shënuar gola sepse unë jam një sulmues dhe të dërgoj topin në rrjetë është një nga detyrat e mia kryesore. Sa gola do të shënoj në sezonin e ri nuk e di sepse futbolli është një lojë kolektive dhe asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Unë mund t’iu them juve që do të shënoj 20 gola dhe mund të realizoj 25. Ajo që u premtoj tifozëve të Kukësit është se unë do të përpiqem ta bëj në mënyrën më të mirë punën time dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë gola”.