Sulmuesi i Vllaznisë, Liridon Latifi nuk i mbajti dot nervat pas zëvendësimit që Brdaric bëri për të, në sfidën e djeshme barazuar 1-1 me Egnatian në Rrogozhinë. Kosovari shfryu dufin te kutia mjekësore, duke u rrëzuar më pas keq në stolin e skuadrës, për t’u drejtuar pak sekonda më vonë në dhomat e zhveshjes.
Një pikë në tre ndeshjet e fundit për Vllazninë, do duhet t’I shtohet edhe pakënaqësia dhe mospranimi i lojtarit për zëvendësimin. Precedenti i Latifit do duhet të ndalet te Vllaznia, me lojtarin që edhe në të kaluarën ka pasur përplasje me trajnerin e Akademia Puskas kur u transferua në 2018 nga Skënderbeu në Hungari.
“E pashpjegueshme se si një zotëri vjen nga jashtë, ne i kërkojmë të luajë përpara dhe ai luan aty. Ai bën shumë gabime, kaq shumë nuk mund të bëhen. Unë kam luajtur gjithmonë me futbollistët që kanë bërë gjithçka për skuadrën dhe klubin. Nuk do ta ndryshoj këtë: ose ai, ose unë, njëri do të largohet”, shprehej në 2018 Attila Pinter, trajneri i Akademia Puskas.