Renato Arapi, mbrojtësi durrsak, i cili qëndroi për 2 muaj në radhët e të kuqve, tashmë ka firmosur për një tjetër ekip, këtë herë jashtë Shqipërisë me Boluspor. Në skuadrën turke atij iu ofrua një kontratë e majme, të cilën nuk mundi që ta refuzonte, ndërsa me largimin e tij dalin në pah dhe ofertat që iu bënë nga Partizani.
Sipas burimeve të “newsport.al”, presidenti Gazment Demi ka qenë ai që ka këmbëngulur që lojtari të qëndronte në skuadër, duke i plotësuar kërkesat si rrallë të tjerëve. Për qëndrimin te Partizani edhe për një vit, mësohet se Arapit i është ofruar kontratë vjetore me vlerën e 70 mijë eurove dhe në rast të shpalljes kampion në fund të sezonit, ai do të merrte dhe 20 mijë euro në formë bonusi.
Kjo ofertë e tundoi fillimisht mbrojtësin durrsak, i cili nuk firmosi herën e parë që shkoi në Turqi dy javë më parë, ndërsa skuadra e Boluspor ia ndryshoi atë që kishin rënë dakord paraprakisht. Por, oferta e dytë e zhvlerësoi të parën, kështu që Arapi refuzoi Demin dhe firmosi për turqit.