Donjet Shkodra dhe Bruno Dita janë dy përforcimet e para të Skënderbeut. Të dy lojtarët kanë gjetur akordin për termat financiarë dhe ato sportivë dhe janë gati të nënshkruajnë për skuadrën korçarë. Firma në kontratë për momentin mungon. Për të gjetur atë duhet pritur edhe pak ditë.
Skënderbeu refuzon të firmosë, zyrtarizojë dhe prezantojë të dy këta futbollistë për një arsye të thjeshtë. E ardhmja nuk është ende e sigurtë.
Duhet pritur mbledhja e Komisionit të Etikës, e programuar në axhendë për t’u mbajtur në datën 8 qershor. Në varësi të vendimit që ky komision do të marrë, do të përcaktohet dhe e ardhmja e korçarëve e bashkë me të dhe e ardhmja e dy lojtarëve me të cilët është gjetur akordi.
Nëse Skënderbeu nuk zbret nga kategoria, Shkodra dhe Dita do të prezantohen të enjten bashkë me firmën në kontratë. Në prapaskenë, korçarët kanë frikë për të ardhmen. Gjithçka është në dorën e Komisionit të Etikës.