“Telenovela” dhe çështja e Donald Rapos me Luftëtarin nuk ka fund. Ish-kapiteni i bluzinjve kërkoi “divorcin” me bluzinjtë, duke u stërvitur përkohësisht me Laçin. Kjo situatë nuk është pëlqyer nga drejtuesit e Luftëtarit, që kanë akuzuar lojtarin në fjalë si dhe drejtuuesit e Kurbinasve. Donald Rapo ka bërë me dije se klubi i detyrohet disa paga, ndaj ai ka kërkuar në FSHF zgjidhjen e kontratës që skadon në fundin e sezonit.
Në krah të Rapos ka dalë dhe Festim Miraka, që aktualisht mbron portën e Bylis. Bashkëlojtarë përpara dy sezonesh te Luftëtari, Miraka thekson se kapiteni ka bërë më shumë se ç’duhet në Gjirokastër dhe se mundi i tyre nuk është shpërblyer. Kujtojmë se Miraka u largua mes konfliktit nga Luftëtari pas një kartoni të kuq në ndeshjen me Kamzën.
Miraka u bashkua me Besën atë sezon dhe aktualisht është pjesë e Bylis në Kategorinë Superiore. “Vëlla, mos e vrit mendjen. Ti edhe pa lek ke dhënë maksimumin, po ata janë mësuar ta hedhin poshtë mundin dhe djersën me një fjalë, por ne të njohim shumë mirë kush është Donald Rapo. Sa për këta që thua ti, nuk e dinë se çfarë është futbolli. E dinë topin katror. Respekte”, shkruan portieri në faqen e Donald Rapos.