Partizani do të luajë sot në transfertën e Vlorës. Sfida ndaj Flamurtarit do të zhvillohet në orën 16:30 dhe për “Demat” asgjë tjetër veç tri pikëve nuk bën punë. Partizani kryeson kampionatin edhe pse ka një ndeshje mangut, atë të sotme. Stërvitja e djeshme duket se nuk ka kaluar pa probleme, pasi teknku Franco Lerda e ka mbyllur atë para kohe, shkak i një debati mes Romeros dhe Malës.
Kur përgatitjet anti Flamurtar ishin duke shkuar drejt fundit, një ndërhyrje e ashpër e Aristoteles Romero në dëm të Esat Malës, ka sjellë përshkallëzimin e situatës. Shtatshkurti nuk e ka kapërdirë dot ndërhyrjen e rrezikshme në dëm të tij, duke i kërkuar llogari venezuelianit. Kaq ka mjaftuar që palët të humbisnin qetësinë, duke detyruar shokët e ekipit të shuanin gjakrat.
Në këtë situatë, italiani Lerda është detyruar të mbyllë para kohe përgatitjet, për të mos nxitur debate të tjera. Pritet të shihet nëse kjo gjendje e tensionuar do të reflektohet ose jo në fushën e lojës. Romero njihet për agresivitetin në lojë, gjë që nuk e kursen as në stërvitje. 24 vjeçari është lojtari më i ndëshkuar te të kuqtë, me 5 kartona të verdhë dhe një të kuq.