Fitorja e madhe ndaj Laccit në Kupën e Shqipërisë 3-0 ditën e djeshme nuk i del nga mendja sulmuesit të Tiranës Michael Ngoo. Anglezi dhe mesfushori Edon Hasani ishin protagonistët e vetëm të takimit teksa me 3 golat e tyre (2 Ngoo, një shkodrani) e dërgojnë Tiranën me një këmbë në gjysmëfinalen e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Në një video të postuar në “Instagram”, shihet goli i tretë i takimit, i cili u realizua pas një aksioni “tiki-taka” të 24-herë kampionëve. Bukuria e aksionit i ka lënë mbresa Ngoosë, i cili e ka shoqëruar me komentin e mëposhtëm.
“Kur e di se të gjithë janë në fushë! Asisti për Edon Hasani, trajneri tha: ‘Luani si Manchester City i Pep Guardiolës’, kështu që të gjithë jemi në rregull!”
Ngoo dhe Hasani janë dy titullarët e padiskutueshëm të Tiranës. Ata po e marrin ekipin përdore pa frikë drejt rezultateve pozitive. Në 2019, bardheblutë kanë regjistruar vetëm një humbje ndaj Flamurtarit, ndeshje e kthimit në Kupën e Shqipërisë, faza 1/16-ve, rezultat (0-1) që nuk i prishi kualifikimin drejt çerekfinales.