Etrit Berisha është portieri i Atalantës, i cili debutoi sot me fanellën bluzi, duke pësuar tre gola. Por, për “Bergamopost.it” paraqitja e “gardianit” kuqezi është për t’u vlerësuar. Sipas këtij tabloidi, ndeshja mund të kishte përfunduar në shifra akoma më të thellë.
“Shpëtohet Berisha, ndërkohë që mbahen Gomez e Kessie, ndërsa sa i përket të tjerëve, në shtëpinë e Atalantës është errësirë e thellë. Janë të shumta paraqitjet negative mes futbollistëve zikaltër, në një disfatë që mund të kishte qenë edhe më e thellë se rezultati final 3-0. Debutim i mrekullueshëm për Berishën me skuadrën e Atalantës dhe është padyshim më i miri në fushë”.
“Nuk mund të bënte asgjë në rastin e golit të Borriellos, por është i mrekullueshëm në rastin e minutës së 34’ ndaj Sau, sikurse dhe ndaj Borriellos në të 39’. Edhe në pjesën e dytë ndaj Joao Pedros në të 54’ ka shpëtuar portën, por e ka të pamundur të bëjë ndonjë gjë në momentin e devijimit të topit nga ana e Sau. Shpëton sërish në minutën e 71’ përballë Sau, por dorëzohet ndaj Borriellos në të 74’, ndonëse meriton gjithsesi trofeun e më të mirit”, përfundon shkrimi i italianëve.