Solomonson Izuçuku është padyshim një nga lojtarët e huaj më të spikatur që kanë qenë pjesë e kampionatit shqiptar. Sulmuesi nigerian që ka luajtur me Bylisin dhe nga ku mori famë në Superiore mbahet mend edhe për aktivizimin e tij te Kukësi.
Nga verilindorët, Izuçuku u shpall “i humbur” duke qenë se pas përfundimit të sezonit nuk u paraqit më në ekip, ndonëse pretendohej nga klubi kuksian se ishte në kontratë. Megjithatë, tashmë kjo çështje është e mbyllur, ndërsa sezonin e shkuar sulmuesi nigerian u bë sërish pjesë e Bylis.
Tashmë, newsport.al zbulon vendndodhjen aktuale të Izuçukut. Ai është duke u stërvitur me skuadrën e Afrikës së Jugut, F.C. Free State Stars. Ai është gati për të firmosur një kontratë me këtë klub, ndërsa duket se e shkuara e tij në Superiore konsiderohet tashmë një e kaluar nostalgjike. Gjithsesi, sulmuesi nigerian mësohet se aktualisht është në kontratë me Bylisin.
Izuçuku duke u prezantuar me fanellën e Kukësit verën e kaluar