Sot në media qarkulloi lajmi se portieri Arijanet Muric dhe Edon Zhegrova janë përleshur mes tyre. Si pasojë, Muric është përjashtuar nga Përfaqësuesja e Kosovës.
“Me vendim të Federatës së Futbollit të Kosovës, futbollisti Arijanet Muric largohet nga kampi i ekipit kombëtar për arsye disiplinore” – shkruhej në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Gjithçka është mohuar nga vetë futbollisti Zhegrova, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Talenti kosovar tha se “gardianin” e ka mik të mirë dhe assesi nuk ka ndodhur diçka e tillë.Gjithashtu, ai ka diçka edhe për mediat, me këto të fundit që kanë bërë publik një lajm, sipas tij, të pavërtetë.
“Të nderuar vëllezër, motra, ju informoj se gazeta Indekonline po cenon imazhin tim dhe po bënë ta ul karakterin tim në çdo shkrim të saj, kjo është hera e dytë që gazeta Indeksonline e bënë këtë shpifje ndaj meje. Publik i dashur shkrimi ndaj meje, gjoja se jam rrahur me shokun tim apo Muriq, kjo është e nivelit më të ulët dhe nënçmues ndaj meje, vendit tim, miqve, shokëve e familjes. Aro Muriq është shoku im dhe e kam pas fatin ta ndaj çdo moment me të edhe dhomën e kemi nda së bashku dhe i kam qëndruar afër çdo moment dhe kjo është e vërtetë. Gazeta e shpifjes dhe konsideroj antikombëtare e sidomos ndaj meje do të ballafaqohet me drejtësinë në gjykatë. Njerëzit e papërgjegjshëm do të marrin dënimin e merituar sepse jemi lodhur nga këta matrapaz të paskrupullt që shkelin mbi djemtë e kombëtares së Kosovës, por ne jemi para ndeshjeve vendimtare kualifikuese për vendin tonë të shenjtë Kosovën. Ju dua. Edon Zhegrova”- shkruan ndër të tjera, ylli i Kosovës.