Kategoria Superiore do të çelë javën e 24 të saj me kryendeshjen mes Tiranës dhe Partizanit. Ndeshja e programuar për t’u zhvilluar të premte në orën 19:00, pritet që të mbushë stadiumin e ri kombëtar. Edhe në sfidën e shkuar të 13 dhjetorit, të pranishëm ishin afro 19 mijë tifozë. Situata në vendin fqinj të Italisë me shtyrjen e ndeshjeve të Serisë A për shkak të Coronavirusit, ka bërë që gazetari i njohur Muhamed Veliu të “ftojë” tifozët në stadium.
Nëpërmjet një batute me gazetaren e sportit Sidorela Gjoni, Veliu shprehet se për sa kohë Erion Braçe që mban postin e zëvendëskryeministrit të jetë në stadium, kjo është një garanci më shumë kundër frikës. Pyetjes së bukuroshes Gjoni, Veliu i përgjigjet me humor. Mendon se Coronavirusi do largojë tifozët nga derbi që luhet këtë të premte? “Absolutisht që jo. Për aq kohë sa në stadium do jetë vetë zv.kryeministri Erion Braçe, kjo është një garanci e shtuar dhe unë do jem për veten time atje”, shprehet Veliu duke ftuar kështu tifozët në derbin e kryeqytetit.